Komuna e Prishtinës ka planifikuar që qytetarët të cilët janë të interesuar të adoptojnë qen endacakë do të subvencionohen me nga 50 euro në muaj. Përveç subvencionimit prej 50 euro, ata të cilët pajtohen të adoptojnë qen, do t’u ofrohet trajtim falas nga veterinari i kryeqytetit në Qendrën për Trajtimin e Qenve Endacakë, që pritet të funksionalizohet së shpejti.
Megjithatë më shumë po kushton mbikëqyrja e një qeni sesa e një fëmije.
Fëmijët e lindur pas vitit 2015 i marrin nga 10 euro në muaj, ndërkaq ata që kanë lindur në dy vitet e fundit i marrin nga 20 euro.
Nga të gjitha premtimet e shumta që ka bërë kryeministri Albin Kurti, dikur si opozitar, i vetmi që është realizuar plotësisht është ky i shtesave për fëmijë.
Por sa vlejnë 10 euro sot?
Duke parë rritjen e madhe të çmimeve, e sidomos produktet e nevojshme për një fëmijë, 10 euro në muaj janë të pamjaftueshme
Por, për kryeministrin Kurti ndarja e shtesave prej 10 euro, është një ndër sukseset më të mëdha.
Çfarë mund të blejnë prindërit për fëmijët e tyre me 10 euro në xhep?
Çmimet e qumështit për fëmijët e moshës nga 0 deri në 12 muaj, variojnë nga 4.80 euro deri në 15 euro.
Ndërkaq, çmime të larta në treg kanë edhe biberonët, që kapin vlerën nga 3 deri në 15.30 euro.
Çmimi i pelenave, nëpër pika shitëse, varion nga 5 deri në 18 euro, ndërsa letrat higjienike kanë çmimin mesatar prej 1.50 euro.
Pastat e dhëmbëve për moshën 0 deri në 6 vjeç, kanë vlerë minimale 1.50 euro, kurse, brushat për pastrimin e dhëmbëve, kanë çmime të ndryshe, nga 1.50-3.50 euro.
Përveç shtesave prej 10 euro për fëmijë, një familje e cila përbëhet prej 4 anëtarëve, si ndihmë sociale nga shteti merr vetëm 97 euro e 50 cent, ndërsa ajo familje që përbëhet nga 15 anëtar merr 180 euro si ndihmë nga shteti.
Kryeqyteti është duke ndërmarrë veprime të shumta për trajtimin e qenëve endacak, ku deri tani janë ndarë 1 milion e 300 mijë euro.