Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Ajeti, ka folur për protestën e nesërme, duke bërë të ditur se ai vetë është organizatori i saj.
Ajeti tha se është e papranueshme që shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari – Lila, të shkojë në tavolinë e të diskutojë për vlerat e luftës me kriminelë si Milan Radojiçiq.
“Të përmendet në tavolinë emri i Radojiçiqit, ku është edhe emri i UCK-së, për ne është e papranueshme”.
“Si iniciativë, është personalisht e imja. Dhe duhet ta dinë dhe ta kenë një herë e përgjithmonë, jo veç kjo qeveri, por edhe qeveritë tjera, që ku është emri i UCK-së, nuk duhet të bëhen pazare me kriminelë”, tha ai në “Ifno Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, ai i bëri thirrje qeverisë që të mos sjell situata të pa lakmueshme, pasi siç tha, nesër “jam në gjendje që të flijohem”.
“Gjaku i shokëve të mi, nuk do të lejohet që të diskutohet në tavolinë me Radojiçiqa e kriminelë serbë. Këtë lë ta di edhe Albin Kurti e secili lider politik”.
“Edhe më herët kam thënë që mos të na sjellin në situata të pa lakmueshme, sepse edhe nesër, personalisht jam në gjendje që të flijohem”, tha Ajeti.