Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka folur për mundësinë e organizimit të një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, e cila ishte propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Një ide të tillë e ka përkrahur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Para gazetarëve, Stano tha se fokusi duhet të jetë në gjërat aktuale që janë duke ndodhur.
Ai përmendi qetësimin e menjëhershëm të situatës në komunat veriore të Kosovës.
“Tani për momentin duhet të fokusohemi të depërshkallëzimi i menjëhershëm i situatës në veri të Kosovës, ne duhet të shohim hapa para”, tha Stano.
“Nuk duhet të fokusohemi në atë se çfarë mund të ndodh, por duhet të fokusohemi në atë se çfarë duhet të ndodh e që është depërshkallëzimi i menjëhershëm i tensioneve”.
Stano tha se i dërguari i posaçëm i BE-së, Mirosllav Lajçak po viziton Kosovën për të gjetur përfundimisht rrugën e shtensionimit të situatës dhe të ketë kthim të bisedimeve për normalizim në kuadër të dialogut.
Sipas tij, liderët e 27 shteteve anëtare të BE-së u kanë bërë thirrje dy palëve për de-përshkallëzimin e situatës. Ai shtoi se aktualisht nuk janë krijuar kushte për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut.