Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, deklaroi se relacionet e tanishme të Kosovës me ShBA-në nuk janë të zakonshme për vendin tonë.
Siç u shpreh në emisionin Rubikon në Klan Kosova, si asnjëherë në histori e kemi një kryeministër të vendit që e cilëson naiv Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
“Aq sa di unë, ka pak kryeministra të shteteve në historinë botërore që kanë pasur një relacion publik me Sekretarin Amerikan të Shtetit. Së paku në nivel të miqësisë nuk e ofendon publikisht. Po flas për pozicionin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, dhe për më tepër konstatimi i kryeministrit të Kosovës që Sekretari i Shtetit është naiv mbi gjendjen në Kosovë”.
“Deputetët e tij dhe vet kryeministri na qenkan mendjemprehtë, ose në fjalët e tij ‘Oliver Ivanoviqi është mendjemprehtë, e Anthony Blinken është naiv’”.
Për Abdixhikun, kjo gjendje për Kosovën është alarmante.
“Nga kontakti që unë kam me komunitetin ndërkombëtar, Kosova është bërë temë e ngarkuar për t’u marr për secilin jashtë. Pra, të përmendet Kosova në tavolinë, është një ngarkesë më të cilën diplomatët s’duan të merren më, dhe kjo është tragjike për ne”, përfundoi ai.