Deklaratat e avokatit Besnik Berisha kanë shtyrë ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të autorizojë avokat me qëllim të ngritjes së padisë për kompensim dëmi.
Avokati Nasuf Hasani ka thënë se padia bazë kontesti ka shpifjen dhe fyerjen.
Paralajmërimi për padi vjen pasi në një intervistë për mediumin Nacionale, Besnik Berisha ka akuzuar prokurorin Rasim Maloku se ‘me urdhër të pushtetit’ e ka arrestuar atë.
“Nëse një këlysh i pushtetit i veshur me petkun e pushtetit, merr udhëzime nga një ministre e padijshme, e paedukuar, e dështuar në profesionin e vet, patjetër se arrestohen edhe avokatët. Unë jam arrestu nga një këlysh i pushtetit. Për ata që na dëgjojnë e mos me u çuditë ju tregoj kush është ai: Ai është Rasim Maloku. Po ju tregoj se në një seancë e cila ka zgjatur nga ora 19:30 deri në orën 4:00 pas mesnate, Malokun e kam quajtur ahmak, e që je idiot e i padijshëm, e që ke marrë urdhra prej pushtetit” – ka thënë ndër të tjera Berisha në këtë intervistë.
Pas kësaj, avokati Nasuf Hasani ka thënë se është autorizuar nga ministrja e Drejtësisë që ta përfaqësojë në Gjykatën e Prishtinës sa i përket paraqitjes së padisë për kompensim dëmi kundër Besnik Berishës.
“Nga sa u njoftuam përmes mediave, z. Berisha paska thirrur nesër një Konferencë, ku e shfrytëzoj rastin ta ftoj të njëjtin që t’i prezantojë provat që dëshmojnë deklaratën e tij të mbrëmshme se Ministrja Haxhiu e paska urdhëruar Prokurorin Rasim Maloku që ta arrestojë të njëjtin. Në të kundertën, nëse i njëjti nuk e tërheq atë deklaratë nesër dhe nëse nuk kërkon falje, le të përgatitet për betejë ligjore” – ka thënë ai në Facebook.
Pas intervistës së mbrëmshme avokati Berisha ka paralajmëruar edhe një konferencë për media pas zhvillimeve të fundit që përfshinë arrestimin dhe pastaj lirimin e tij nga ndalimi nga gjyqtari i procedures paraprake.
Berisha sot njoftoi se në konferencë do të paraqitet si individ, e jo si anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës.
“Si rezultat i zhvillimeve të fundit, z.Besnik Berisha, avokat me profesion, nesër, më datë 19.07.2023, në ora 10:30, do të mbajë konferencë për media, në ‘Swiss Diamond Hotel’ në Prishtinë” – thuhet në njoftimin për media.