Dy zyrtarët e lartë të ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Haviz Gara, si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi – Ridi – janë liruar nga paraburgimi, pasi ishin arrestuar si të dyshuar për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore.
Një vendim të tillë e ka marrë sot Gjykata e Apelit, e konfirmoi avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi.
“Tretë janë liruar”, u shpreh ai. Apeli në vendim tha se “I.L., H.G .dhe R.M., iu ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit lirohen menjëherë për t’u mbrojtur në liri”.
Prokuroria Speciale pati deklaruar se tre personat e arrestuar, dyshohen për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.
Më 8 gusht, Gjykata Themelore në Prishtinë njoftonte se u ka caktuar nga një muaj paraburgim tre të dyshuarve për keqpërdorim me rezervat shtetërore. Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.
Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.
Muharremi ngarkohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte ndihmuar Irfan Lipovicës dhe Haviz Garës iu kishte krijuar kushte për negocimin me kompanitë turke e polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit.
Ministrja Rozeta Hajdari ka thënë se dy zyrtarët e MINT janë të pafajshëm dhe se nuk kanë bërë kurrfarë shkeljesh ligjore derisa ka akuzuar Policinë se ka marrë kundërligjshëm dokumentet e rezervës shtetërore, duke rrezikuar kështu sigurinë kombëtare.