Klan Kosova ka njoftuar se është përmbyllur plotësisht në mënyrë të rregullt dhe ligjore procesi pranë institucioneve të Republikës se Kosovës.
“Sot, Agjencia Kosovare për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) ka lëshuar vendim zyrtar, me të cilin ka njoftuar se përfaqësuesi i autorizuar i Shoqërisë Tregtare Klan Kosova Sh.P.K. ka dorëzuar te ta kërkesën për plotësim dokumentacioni dhe se me këtë rast ARBK-ja ka bërë shfuqizimin e vendimit të saj për suspendmin e certifikatës së biznesit”, ka njoftuar Klan Kosova.
“Me këtë rast, Drejtoria e ARBK-së zyrtarisht ka njoftuar se kështu „kanë ndryshuar rrethanat faktike“, të cilat kishin nxitur vendimin e javës së kaluar për pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës, duke dhënë vlerësimin e ri se ai vendim tash është shfuqizuar. Vendimin e sotëm, ARBK-ja e ka përcjellur në Komisionin e Pavarur për Media (KPM) dhe në Klan Kosova”, thekson njoftimi.
Klan Kosova bën të ditur se ka bërë shkresë zyrtare drejtuar KPM, në mënyrë që t’i njoftojë për korrigjimet e bëra dhe vendimin e ri të ARBK-së.
Klan Kosova falënderon të gjithë ata që u angazhuan që ky proces administrativ të shkojë sipas ligjit, që janë ambasadat e Quintit të akredituara në Kosovë, institucionet dhe organizatat ndërkombëtare dhe vendore të të drejtave të njeriut, medias, gazetarëve dhe lirisë së shprehjes, si dhe veçanërisht të gjitha mediat dhe kolegët tanë gazetarë për solidarizimin pa asnjë hezitim.
Po ashtu, në kumtesë, Klan Kosova ka falënderuar edhe institucionet e shtetit, ARBK-në dhe KPM-në, për korrektësinë dhe profesionalizmin e treguar në trajtimin e çështjes.