Një arratisje spektakolare nga burgu konsiderohet ajo e trafikantit shqiptar Roland Dedja, që pushtoi titujt e shtypit në Itali për nga mënyra e organizimit.
39-vjeçari i dënuar për trafik lëndësh narkotike, ishte ndihmuar me dron nga jashtë. Ai ka arritur të presë hekurat e dritares së qelisë së tij në burgun e Teramos, e të zbriste prej andej me litar. Dhe kjo nuk ishte arratisja e tij e parë. Dedja kishte arritur të largohej në 2010-tën nga burgu i Pisas ku qe mbyllur nën akuzën e vrasjes së një bashkëkombësi në Brescia, akuzë kjo për të cilën dy vjet më vonë do të shpallej i pafajshëm.
Sipas raporteve në shtypin italian, për të mashtruar oficerët e burgut, Dedja, që nuk e ndante qelinë me dikë tjetër, kishte simuluar praninë e tij në shtrat sikur ishte i mbuluar kokë e këmbë. Mendohet se falë ndihmës së një droni, ai ka siguruar nga jashtë pajisjet e nevojshme për arratisjen. Policia është vënë në kërkim të 39-vjeçarit, duke i fokusuar kontrollet e saj në zonat bregdetare.
Hipotezat e hetuesve janë se Roland mund të tentojë të marrë një mjet transporti për të kaluar Adriatikun. Për lëvizjet e mundshme të tij janë njoftuar dhe autoritetet portuale, ndërsa shtrirja e kërkimeve shkon nga Ankona në jug të Abruzzo-s.