Avokati Besnik Berisha ka thënë se do të vazhdojë të mbetet pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Berisha tha sot se nuk do të ndërrojë parti politike, në një përgjigje ndaj ftesës së Sami Lushtakut për t’iu bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.
“Z. Lushtaku është figurë e nderuar lufte dhe pjesëtar i një partie të nderuar për mua. Partia ime është LDK-ja. Jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Partia ime mbetet LDK-ja, profesioni im mbetet avokati”, ka thënë Berisha.
Ish-kryetari i Skenderajt ka thënë dje se e ka dëgjuar me vëmendje intervistën e Berishës pas lirimit dhe e ka ftuar që t’i bashkohet PDK-së, meqë sipas Lushtakut me një qasje të tillë ai s’është për LDK.
“E dëgjova me vëmendje intervistën e avokatit Besnik Berisha të dhënë për Berat Buzhalën. Duke e parë qasjen e tij, e ftoj publikisht Besnikun që t’i bashkohet PDK-së sepse ai nuk është për LDK!”, ka shkruar Lushtaku.