Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka denoncuar një rast e që sipas tij ka të bëjë me keqpërdorimin e punëtorëve praktikantë në ndërmarrjen publike “Trepça”.
Me anë të një shkrimi në Facebook, ai tha se një grup praktikantësh e kanë njoftuar se më 20 maj, “Trepça” ka hapur konkurs për 180 pozita të lira për praktikantë.
Kësisoj, Azemi shprehet se bazuar në vendimin e nxjerr nga vetë ndërmarrja, “Trepça” është e detyruar që për të gjithë praktikantët të ofrojë ushqim, transport si dhe uniformën falas.
Por, ai tregon se sipas punëtorëve, grupi i parë “deri diku” i ka pasur këto kushte.
Megjithatë, jo edhe grupi tjetër prej 120 praktikantëve, thotë ai teksa shton se tash e tre muaj nuk e kanë marrë rrogën prej 100 euro.
“Keqpērdorimi I punëtorëve praktikant në ndërmarrjen SH.A Trepça. Një grup praktikantēsh më njoftojnë se me datē 20.05.2022 Trepça SH.A ka hapur konkurs për 180 pozita të lira për praktikant”, shkroi Azemi.
“Në bazë të vendimit të nxjerrē nga Trepça SH.A kjo kompani është e detyruar që për të gjithë praktikantët të ofroi ushqim, transport,dhe uniformen falas .Sipas punëtorēve grupi I parë deri dikun I ka pasur këto kushte , kurse grupi prej 120 jo,nuk kan transport,nuk kan ushqim ,kan hyr në muajin e tretē pa ua bër pagesën prej 100 eu ne muaj”.
Bazuar në dokumentin e publikuar nga Azemi, në konkursin e ndërmarrjes së Trepçës, secili praktikantë do t’i nënshtrohet një testi pas përfundimit të punës praktike.
Nëse ata e kalojnë, atëherë do të pajisen me një certifikatë nga “Trepça”, thuhet në konkurs.