Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se shtetet anëtare janë dakorduar që t’i vendosin masa me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës, por ka thënë se ato nuk janë sanksione.
Masat, sipas Stanos, janë ato të raportuara një ditë më parë si sanksione në media. Siç ka thënë ai, masat janë të kthyeshme varësisht nga hapat që ndërmerr kryeministri Albin Kurti për shtensionim të situatës.
“Më lejoni të qartësojë një gjë. Nuk ka sanksione. BE-ja vendos sanksione si masë kufizuese të bazuar në kornizë të qartë ligjore të definuar nga shtetet anëtare, pas një procesi të gjatë të diskutimeve në Këshill. S’ka sanksione ndaj Kosovës, kjo është njëra gjë. Gjëja e dytë, për shkak të eskalimit të fundit që kemi qenë dëshmitarë që nga fillimi i këtij muaji, 27 shtetet anëtare të BE-së unanimisht kanë thënë se presin shumë qartë, kërkesë e qartë nga BE-ja ndaj Kosovës dhe Serbisë, të deskalojnë tensionet e fundit veçanërisht në veri të Kosovës”, ka thënë Stano.
Stano në fjalën e tij ka thënë se ka pasur kontakte të nivelit të lartë që të kalohet status-quo’ja, por sipas tij, kryeministri i Kosovës ka dështuar t’i marrë hapat e duhur për deeskalim.
“Në javët dhe ditët e fundit ka pasur kontakte të nivelit të lartë me partnerët që të gjindet një rrugë të kalohet status-quo’ja sepse ngjarjet djeshme na kanë treguar se nuk ka deeskalim, eskalimi po vazhdon. Ne duhet të kalojmë nga menaxhimi i krizave në një proces të qëndrueshëm. Qetësia duhet të rikthehet në veri të Kosovës. Pavarësisht thirrjeve, kryeministri Kurti ka dështuar t’i marrë hapat për deeskalim. Ai ka propozuar pesë pika të cilat i ka reflektuar në letrën ndaj Borrellit dhe kjo dështon t’i adresojë disa elementë kyç.”, tha ai.
Më tutje, Stano ka thënë se këto masa janë të kthyeshme varësisht zhvillimeve në terren dhe varësisht se çfarë hapa ndërmerr Kurti.
“Derisa diplomacia po vazhdonte, BE ka përgatitur masa me efekt të menjëhershëm, nuk janë sanksione, pra masa ndaluese siç e ka BE-ja, këto janë masa me efekt të menjëhershëm. Shtetet anëtare dje kanë mbështetur një sërë masa ndaj Kosovës dhe sërish presim që kryeministri Kurti të implementojë hapat që janë të duhur për deeskalim të menjëhershëm. Kjo ka konsekuenca politike, me suspendimin e takimeve të nivelit të lartë, kontaktet dhe ngjarjet dhe bashkëpunimin financiar me Kosovën. Këto masa janë të përkohshme dhe të kthyeshme varësisht zhvillimeve në terren dhe hapave të kryeministrit Kurti.”, tha Stano