Lideri i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha, ka kërkuar që në Kuvend të diskutohet deklarata që ai e ka quajtur superskandaloze e kryeministrit Edi Rama për veriun e Kosovës.
Berisha e ka krahasuar Ramën me ish-kryeministrin e Serbisë, Nikolla Pashiq.
Deklarata e kryeministrit të Shqipërisë dhënë për “Financial Times”, duke thënë se “veriu i Kosovës është bërë toka e askujt” ka nxitur reagime të ashpra në Kosovë e më gjerë. Deklaratat e tij po cilësohen si anti-kombëtare.
Dhe valës së kritikave ndaj Ramës i është bashkangjitur edhe lideri opozitar gjatë fjalimit në Kuvendin e Shqipërisë.
“Sot, kryefjala e Parlamentit duhet të jetë, deklarata superskandaloze e Pashiqit shqiptar, se veriu i Kosovës është toka e askujt. Nuk ka deklaratë më antishqiptare, nuk ka deklaratë më të shpifur se kjo deklaratë. Por po ju pyes unë ju: secili prej jush që jeni këtu, dhe çdo shqiptar, po përse e derdhi gjakun Afrim Bunjaku? Ku u vra ai? U vra pikërisht në veri të Kosovës, në mënyrë që aty të sundojë rendi, ligji dhe rregulli. Ku u zhvillua një betejë mes grupeve terroriste të nisura direkt nga Alekandër Vuçiqi, të kryesuara nga lejtnanti i tij Radoiçiç? Se sa ishte ‘no mans land’ e provuan falangat serbe. Shqiptarët, Europa dhe bota e panë se si ia mbathën me të katërta, se ajo është toka e zotëve të saj”, ka thënë Berisha.
Berisha ka thënë se kjo deklaratë meriton të nisë një debat në Kuvendin e Shqipërisë, duke e cilësuar Ramën si “argat të Vuçiqit”.
“A mundet një krim-ministër të bëjë një deklaratë të tillë në sintoni të plotë me padronin e tij, Aleksandër Vuçiq? Dhe tani kërkojnë të mbulohet kjo me deklarata të turpshme këtu përpara. Po Dostojevski thotë një fjalë: njeriu që kalon nga gënjeshtra në gënjeshtër, largohet nga homo-sapiens, nga specia e tij. Ndaj këtu debati duhet të fillojë me urgjencë për këtë deklaratë që nuk e bën jo vetëm Aleksandër Vuçiqi, por e bën edhe pengu i tij, e bën argati i tij, që quhet Edi Rama. A e dini çfarë tha Alistair Campbell, miku i tij, për këtë deklaratë: e ka hipnotizuar Vuçiqi”, ka shtuar Berisha.