Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, ka vlerësuar se në bazë të armatimit që është gjetur, sulmuesit e armatosur në Banjskë nuk janë grup terrorist, por siç thotë ai, trupa profesionale të xhandarmërisë serbe që janë të aftë edhe për operacione policore, por edhe ato ushtarake.
Sipas Berishës, këta trupa kanë qenë të sponsorizuar direkt nga Qeveria e Serbisë. Ai habitet se pse Policia e Kosovës nuk e ka futur në listën e armatimeve të gjetura edhe murtajën, që siç thotë deputeti i PDK-së, është artileri e lehtë e këmbësorisë në ushtri.
“Si ka mundësi që të bëhet depërtimi i gjithë atij arsenali armësh, i gjithë atyre trupave dhe veturave të blinduara, ani pse kemi këtu inteligjencën e ndërkombëtarëve, plus njësitet tona. Pamja e armatimit, mirëmbajtja e tyre teknike tregojnë që ato nuk janë armë qe 24 vjet. Në listën e armatimit të gjetur, që e kishte publikuar Policia, nuk ishin futur murtajat. Murtaja nuk i takon një grupi terrorist, por ushtrisë. Është artileri e lehtë e këmbësorisë. Të gjitha këto armatime tregojnë se s’kemi të bëjmë me grup terrorist, por me trupa të xhandarmërisë që është e aftë të kryejë edhe operacione ushtarake edhe policore të sponsorizuar direkt nga Beogradi”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.
Ai ka thënë se në rast se s’ka pasur ndonjë dekonspirim të operacioneve të KFOR-it në veri, atëherë komandanti i misionit të NATO-s në Kosovës duhet të dënohet nga Asambleja e OKB-së.
Berisha ka përshëndetur veprimet e Policisë së Kosovës.
Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.