Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken ka zhvilluar të hënën dy biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Me të dy, Blinken ka biseduar rreth shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
Sipas njoftimeve të bëra nga vet Blinken dhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, ai citohet t’i ketë bërë thirrje Kurtit që kryetarët e komunave veriore të Kosovës të punojnë nga lokacione alternative.
Në postimin e tij në Twitter, Blinken është shprehur se plani trepikësh i Bashkimit Evropian është rruga që duhet të ndiqet për depërshkallëzimin e situatës në veri të Kosovës.
“Sot fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të qetësuar situatën në veri të Kosovës dhe për t’u kthyer menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara”, tha Blinken.
Po ashtu, për këtë bisedë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, ka ndarë disa detaje. Sipas tij, Blinken i ka kërkuar Kurtit që kryetarët e katër komunave veriore të punojnë nga lokacione tjera alternative, e jo në objekte komunale.
“Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, ka biseduar sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të kërkuar de-përshkallëzimin e menjëhershëm në veri të Kosovës, duke përfshirë thirrjen e vazhdueshme që kryetarët e komunave të punojnë nga lokacione alternative. Sekretari gjithashtu përsëriti mbështetjen e SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe falënderoi kryeministrin Kurti për pjesëmarrjen e tij në takimin e liderëve të 22 qershorit në Bruksel”, tha ai.
Në anën tjetër, Blinken ka ndarë detaje edhe nga biseda e tij me Vuçiq. Ndaj tij, Blinken ka kërkuar deeskalim të situatës në veri të Kosovës dhe kthim të menjëhershëm në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai po ashtu e mirëpriti lirimin e sotëm tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga Serbia, që u kidnapuan më 14 qershor.
“Unë fola me presidentin serb Vuçiq, sot për të nënvizuar rëndësinë e uljes së menjëhershme të tensioneve. Ne mirëpresim lirimin e sotëm të policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rrugën më të mirë përpara”, shkroi Blinken në Twitter.
Rreth bisedës së zhvilluar Blinken-Vuçiq, ka dhënë detaj edhe zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. Sipas tij, Blinken ka kërkuar uljen e tensioneve me Kosovën, përgjatë bisedës me Vuçiqin.
Po ashtu, ai i ka kërkuar Serbisë që menjëherë të ndërmarrë hapa për të zbatojë angazhimet e saj sipas marrëveshjes së normalizimit.
“Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, ka biseduar sot me presidentin serb Aleksandar Vuçiq për të kërkuar uljen e tensioneve me Kosovën. Sekretari e ka mirëpritur lajmin për lirimin e tre policëve të Kosovës. Sekretari gjithashtu përsëriti përgjegjësit për sulmet ndaj Forcave të Kosovës (KFOR), forcës paqeruajtëse ndërkombëtare të udhëhequr nga NATO në Kosovë, duhet të mbahen përgjegjës, theksoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për planin trepikësh të BE-së dhe i kërkoi Serbisë që menjëherë të ndërmarrë hapa për të zbatojë angazhimet e saj sipas marrëveshjes së normalizimit.”, thuhet në njoftim.