Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka ripërsëritur edhe njëherë se zgjedhjet në komunat veriore të vendit duhet të mbahen sa më shpejt, si dhe serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Ai, në një konferencë për media pas takimit me përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së, ka theksuar se Kosova dhe Serbia duhet të jenë të gatshme që të respektojnë të gjitha obligimet që u vijnë nga dialogu.
“Zgjedhjet duhet të organizohen në të gjitha komunat në veri, dhe në kuadër të kësaj të marrin pjesë pa ndonjë kusht të gjithë serbët e Kosovës. Të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për zbatimin e këtij detyrimi të dialogut”, ka thënë Borrell.
Borrell ka thënë se shtetet e anëtare të BE-së mund të vendosin masa ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse nuk bëjnë përparime në situatën që kanë shkaktuar.
“Shtetet anëtare mbeten të gatshme për të ndërmarrë masa të mëtejshme nëse nuk vërehet ndonjë përparim. Ato janë të gatshme që të marrin masa për anëtarët e ardhshëm të BE-së prej të cilëve presim sjellje evropiane”, ka thënë Borell.