Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, ka mbajtur një konferencë për media në Bruksel.
Nga atje, i ka bërë thirrje Kosovës që t’i ndalojë aksionet e Policisë në objektet e komunave në veriun e vendit.
Sipas Borrellit, ky do të ishte hap i parë për uljen e tensioneve, ndërsa kërkoi që protestuesit e dhunshëm të ndalen.
“Dua të them se BE-ja e dënon fuqishëm dhunën në veri të Kosovës që kemi parë ditëve të fundit. aktet e dhunës ndaj qytetarëve, mediave, forcave të rendit dhe KFOR-it janë të papranueshme. Ne si BE qëndrojmë prapa NATO-s dhe KFOR-it në përmbushjen e mandatit në interes të paqes dhe stabilitetit në Kosovë”, tha Borrell më 30 maj.
Ai tha se mëngjesin e sotëm ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa mbrëmjen e së hënës ka zhvilluar një bisedë edhe me presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuçiq, dhe i ftuar që të “qetësojnë menjëherë situatën dhe pa kushte”.