Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka folur në konferencë për media pas takimeve që zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Ai ka treguar cilat kanë qenë kërkesat e tij për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në takimin që ka zhvilluar me të.
Largimi i policisë nga objektet komunale, puna e kryetarëve të komunave nga jashtë objekteve komunale ishin kërkesat për palën kosovare.
“Sot së bashku me Lajçak kemi shpenzuar katër orët e fundit, fillimisht me kryeministrin Kurti pastaj me presidentin Vuçiq në takime të ndara për të tentuar për të gjetur zgjidhje për rrugën përpara, ne prezantuam te palët pritjet tona të qartë. Për Kosovën që menjëherë t’i ndalojë operacionet policore pranë objekteve komunale në veri të Kosovës dhe që katër kryetarët t’i kryejnë punët e tyre jashtë ndërtesave komunale dhe për Serbinë të sigurohet që protestuesit të largohen nga objektet komunale së bashku me policinë e Kosovës.”, tha Borrell.
Gjithashtu ka thënë se duhet të mbahen zgjedhje të reja në Kosovë me pjesëmarrje të plotë të serbëve.
“Të dy palët që t’i shpallin zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri të Kosovës me pjesëmarrje të serbëve pa kushte. Dhe kjo është burimi i problemit dhe burimi i zgjidhjes. Zgjedhje të parakohshme, zgjedhje të reja në të katër komunat me pjesëmarrje të plotë.”, tha Borrell.
Ai ka thënë se pas këtyre hapave, palët duhet t’i kthehen dialogut dhe ka kërkuar që të bëhet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pas kësaj, pasi që situata në terren të kthehet në normal, të fillojmë të punojmë për normalizim nëpërmjet dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vetëm pak muaj më parë ne arritëm një marrëveshje në rrugën për normalizim dhe dukej se ishim në rrugë të mirë në mënyrë që të avancohet në normalizimin e marrëdhënieve, ne duhet të kthehemi në implementimin e këtyre marrëveshjeve dhe kjo nënkupton që të fillohet pa vonesa të mëtejshme ose parakushte, negociimin e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Mendoj se kemi qenë të qartë”, tha Borrell.
Borrell ka njoftuar se Kurti është pajtuar për nevojën për zgjidhje të reja, teksa ka thënë se sot në Bruksel është diskutuar për pyetjet “si” dhe “kur” dhe jo për “çka”