Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka dalë në mbrojtje ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, ndonëse të shtunën prodhoi një skandal diplomatik duke u vënë në sulm ndaj Bashkimit Evropian.
Berishaj, një nga të dyshuarit për lidhje me mafinë energjetike në Ballkanin Perëndimor, u hodh në sulm ndaj mediave, duke u shprehur se “siç duket, asnjë gazetar as nga Kosova as nga Shqipëria” nuk morën pjesë në Forumin e Dubrovnikut.
Në këtë forum, Gërvalla u paraqit me një gjuhë diplomatike, për çka pranoi kritika nga partitë opozitare në Kosovë.
“Trillimi i rradhës apo vegëza si këndellje”, shkroi fillimisht Berishaj në Facebook, i cili po dyshohet për katër vepra penale në Kosovë.
“Për ata që e kuptojnë gjuhën kroate e në veçanti për ata, të cilëve iu intereson e vërteta. Pa efekt për ata të mjaftohen me trillimet e radhës në gjuhën shqipe, te cilat i ofrohen lexuesit rreth “perplasjes” joekzistente të ministres znj Gërvalla me z. Escobar në Forum të Dubrovnikut (ku si duket nuk ka marrë pjesë asnjë gazetar as nga Kosova e as nga Shqipëria!)”, përfundoi ai.
Gërvalla, tha të shtunën se pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, Bashkimi Evropian është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë, duke nxitur reagimet e të dërguarve amerikanë dhe evropianë si dhe të opozitës në Prishtinë.
“Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në bllok dhe pa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, BE-ja është një ‘tigër prej letre’ në aspektin e sigurisë”, tha Gërvalla.
Përgjatë fjalimit të saj, ajo shtoi se Evropa nuk ka asnjë histori suksesi në përpjekjet për të parandaluar luftërat.