Britania e Madhe i ka bërë thirrje Serbisë për lirimin e menjëhershëm të tre policëve kosovarë, të rrëmbyer të mërkurën në afërsi të Leposaviqit, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një deklaratë për media, Britania e Madhe ka kërkuar nga të dyja palët “përmbajtje maksimale”.
Në komunikatë, Britania e Madhe kërkon po ashtu nga palët që të shmangen masat e njëanshme dhe të shtensionohet situata.
“Bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, theksohet në deklaratë.
Qeveria e Britanisë së Madhe ka theksuar zgjedhjet e reja duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur.