Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut të lehtësuar nga Unioni dhe se është ende në pritje të një hetimi të plotë e përfundimtar për sulmin terrorist në Banjskë.
“Nuk ka rrugë tjetër, duhet t’i kthehemi dialogu. BE-ja është lehtësues i dialogut, BE-ja është ndërmjetës i ndershëm, që ndihmon palët për të gjetur konsensusin”.
Ai tha se do të përsërisë që rruga e vetme e Kosovës dhe Serbisë kapërcen nëpër dialog dhe se këtu s’ka asgjë për të re për të shtuar dhe se s’ka rrugë anësore për këtë.
“Të dyja palët duhet ta kuptojë këtë që dialogu duhet të vazhdojë dhe se ata duhet të angazhohen në një mënyrë kuptimplote duke provuar që të arrijnë kompromiset e nevojshme për të normalizuar raportet. Sa i takon 24 shtatorit, presim rezultatet e plota të një hetimi të kompletuar për të pasë një pasqyrë të qartë se çka ndodhi dhe kush ishte prapa”.
I pyetur nëse BE ka përgatitur një pako masash kundër Serbisë, Stano tha se procedurat janë konfidenciale.
Stano tregoi edhe pritshmëritë aktuale të BE-së për të dyja palët, derisa përmendi që masat Kosovës i hiqen kur të ketë deeskalim.
“Në këtë fazë ne vërtet duhet të shohim, së pari hapa drejt një deeskalimi kuptimplotë; rikthimi në dialog; dhe sa i përket ngjarjeve të 24 shtatorit një hetim të plotë dhe përfundimtar”.
Deklaratat e presidentes Vjosa Osmani se nuk takohen me presidentin e Serbisë derisa vendi i tij nuk sanksionohet për aktin agresor ndaj Kosovës, Stano iu referua si “të ashtuquajtura kushte”.
“Dhe kur bëhet fjalë për këto të ashtuquajtura kushte për t’u kthyer në dialog, BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ishin shumë të qartë: dialogu duhet të vazhdojë, të dyja palët duhet të kthehen në dialog. Pikë”.
Po ashtu, Stano u pyet nga një gazetar i Serbisë se me kë duhet të bashkëpunojë Serbia për hetimin e sulmit të Banjskës, duke aluduar në atë që Serbia s’i njeh institucionet e Kosovës.
“Ne presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar nga Serbia. Si e bën, varet nga Serbia. Ka mënyra nëse ka vullnet, ka shumë mënyra. Nuk na takon të dërgojmë mesazhe përmes domenit publik. Partnerët tonë në Serbi e dinë mirë se çka duhet të bëjnë dhe se çka pritet të bëjnë”.