Shkarkimet e diplomatëve me përvojë, degradimi i stafit diplomatik dhe demotivimi i tij, por dhe ndërhyrjet e vazhdueshme pas ardhjes së Qeverisë Kurti II, po japin pasojat e para, gjë që po rezulton me mosfunksionimin e diplomacisë kosovare.
Diplomacia, si një aset i madh i shteteve, nuk po arrin të përmbush as objektivat minimale që mund t’i synojë një shtet.
Sensiblizimi i shteteve të ndryshme lidhur me sulmin në veriun e Kosovës të një grupi terroristësh me serbë të armatosur rëndë, të cilët vranë rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe plangosën një tjetër, do të duhej të ishte kryefjalë e angazhimit të diplomatëve kosovarë pas datës 24 shtator 2023.
Faktet e prezantuara në publik nga kryeministri Kurti, ministri Sveçla dhe Policia e Kosovës, janë të shumta dhe të pakundërshtueshme (video, fotografi, harta, armatime ushtarake, etj.) për përgatitjen dhe aktivitetin e këtij grupi terrorist, i cili më pas u largua në Serbi, duke gjetur mbrojtje dhe duke mos u shqetësuar aspak nga autoritetet serbe.
Të gjitha këto fakte do të duhej t’i prezantoheshin botës nga diplomacia kosovare. Republika e Kosovës, ndonëse ka një numër të vogël ambasadash, ajo është e shtrirë gati në të gjitha kontinentet.
Megjithkëtë, ka munguar sensibilizimi për këtë sulm terrorist.
Vetë kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla, në mes të tensioneve në veriun e Kosovës, pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, është përqendruar në aktivitetet partiake si njëra nga kryetarët e partisë Guxo. Ajo ka hapur një degë të kësaj partie dikund në Gjermani.
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, do të duhej të qëndrojnë në ballë të aktiviteteve politike e sensibilizuese të sa më shumë shteteve për sulmin terrorist në veriun e Kosovës dhe jo të lejonte që ky vakum të mbushej me dezinformacione nga Serbia që tash e disa ditë prezantohen nga presidenti serb dhe vartës të tjerë të tij. /demokracia.com