Biznesmeni kontraverz, me të kaluar të dyshimtë kriminale, Mentor Beqiri dhe Armir Osmani, djali i të dyshuarit për fajde, Ismet Osmani – ‘Curri’, pritet të gjykohen për vrasje të rëndë në tentativë.
Hetimet ndaj Beqirit dhe Osmanit kanë marrë rrjedhë tjetër të mërkurën, kur Prokuroria e Prishtinës ka paraqitur kërkesën për paraburgim ndaj dy të arrestuarve për gjuajtjet me armë që ndodhen të martën në mesditë në Llapnasellë të Grapçanicës.
Nga ‘vrasje në tentativë’, Prokuroria ka ndryshuar veprën penale për të cilën po zhvillohen hetimet. Tani, dy të dyshuarit po hetohen për Vrasje të Rëndë në Tentativë.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se ka kërkuar paraburgim ndaj dy të ndaluarve.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit ndaj dy të pandehurve, për shkak të veprës penale Vrasja e rëndë në tentativë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë në Prishtinë.
“Ndaj kësaj çështjeje penale janë duke u kryer hetime në koordinim me policinë, andaj në këtë fazë nuk mund të ndajmë informata të tjera me Ju”, tha Ulaj.
Grupet i ‘Currit’ dhe Mentor Beqirit, të dy nga Mitrovica, u përfshinë në një konflikt me armë zjarri të martën në rrugën që lidh Graçanicën me Lapnasellën, një fshati në mes të Graçanicës dhe Çagllavicës.
Siç ka bërë të ditur Policia e Kosovës të mërkurën, nga një veturë e cila ishte në lëvizje dhe shpejtësi të madhe, është shtënë me armë zjarri në drejtim të një veture tjetër në lëvizje.
Policia tha se njëri i dyshuar në vendngjarje e ka dorëzuar pistoletën që e kishte me leje, ndërsa janë gjetur pesë gëzhoja nga arma e zjarrit.
“Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes ku e ka takuar të dyshuarin mashkull kosovar në afërsi të veturës së tij, i cili vullnetarisht e ka dorëzuar një pistoletë me leje. Njësitet policore të forenzikës në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 5 gëzhoja nga arma e zjarrit”, tha Policia.
Për këtë rast, në arrati nga organet e rendit janë disa persona të tjerë, përfshirë edhe Ismet Osmanin – ‘Curri’.