I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në një intervistë dhënë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi i Evropës Juglindore, ka bërë të ditur se të shtunën në mëngjes ka raportuar në Shtëpinë e Bardhë lidhur me vizitën e tij në Prishtinë e Beograd.
Emisari amerikan ka njoftuar se mëngjesin e të shtunës është ftuar në Shtëpinë e Bardhë për të raportuar rreth rezultateve nga udhëtimi i tij në të dyja vendet.
“Jam ftuar që Shtëpisë së Bardhë t’i raportojë për rezultatet e vizitës sonë në Beograd dhe Prishtinë. Në bazë të përparimit apo mungesës së tij do të vendosim për drejtimin e veprimit tonë” ka thënë Escobar.
Emisari Escobar kishte parlajmëruar që si ai, poashtu edhe Lajçak do t’i raportonin eprorëve të tyre për vizitat e zhvilluara në Kosovë dhe Serbi, për të vendosur më pas hapat e mëtejmë.
Escobar gjithashtu në këtë intervistë ka ripërsëritur kërkesat e ShBA-së për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës në komunat veriore, dhe kthimi i fokusit te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, e që sipas tij kjo nënkupton për Kosovën fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Emisari amerikan gjithashtu ka folur edhe për Kryeministrin Kurti, për të cilin tha se është partnerë i tyre, ani pse sipas tij ndonjëherë është i vështirë.
“Më duhet ta bëj të qartë. Albin Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një bashkëpunëtor i vështirë, por ai mbetet një partner. Kosova është partneri ynë. Në të ardhmen, ne duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën, t’i përmirësojmë e marrëdhëniet me Serbinë”, ka theksuar Escobar.