Rekomandimi për inicimin e shkarkimit të anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, është miratuar nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.
Inicimi erdhi pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar më 18 shkurt 2023 me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.
Rekomandimi u votua me 7 vota për, një kundër (Besnik Tahiri), ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk mori pjesë në votim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Rekomandim për inicimin e shkarkimit të Bekës u bë nga kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi.
Rrustemi u shpreh se Beka me veprimet e tij ka cenuar rëndë integritetin, pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit prokurorial. Ai përmendi hulumtimin e emisionit “Betimi për Drejtësi”, kallëzimet penale ndaj tij e gjetjet e Agjencisë Kundër Korrupsion për konfliktin e interesit.
“Shkeljet, ndikimet, ndërhyrjet që kanë ndodhur apo shpërdorimin, keqpërdorimin e pozitës si anëtar si KPK-së për të fuqizuar, avancuar pozitën e tij në Universitet. Madje, ka përdorur edhe resurset e KPK-së, në funksion të interesit krejtësisht personal në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini deri në pikën kur ka ngritur diskutime në mbledhjen e KPK-së, ka publikuar në faqen e KPK-së, reagimet personale për zhvillimet në universitet”, u shpreh Rrustemi, duke shtuar se ka sulmuar mediat dhe shoqërinë civile.
Me procedimin për votimin e rekomandimit nuk u pajtua deputeti nga radhët e PDK-së, Hajdar Beqa.
Sipas tij, duhet të bëhen disa verifikime të provave dhe të dëgjohet Beka në një takim të komisionit me dyer të mbyllura.
“Të gjejmë edhe një formë që ta kemi ndoshta në komision pa media edhe në këtë rast z.Beka, ta dëgjojmë edhe anën tjetër”, u shpreh Beqa.
Besnik Tahiri, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha gjithashtu që komisionit duhet t’i sillen prova të gjitha ato që thuhen dhe se duhet më shumë kohë për verifikim.
“Mundësisht me i pa, në pasit nda mendjen me e shkarku pash Zotën mos na maltretoni”, u shpreh Tahiri.
Ndërsa, deputeti Driton Selmanaj, nga Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), tha se kur i lexon pretendimet, referencat në parim ky person nuk duhet të qëndroj më gjatë në KPK.
“Nëse Agjencia e Korrupsionit është marrë, nëse Policia ka ngrit kallëzim penal, nëse Universiteti thotë se ka informata që është pagu për ligjërata që nuk i ka mbajt e krejt këto, del që figura e tij është e dëmtuar”, u shpreh Selmanaj.
Por, edhe Selmanaj kërkoi që dosjes së tij t’i bashkëngjiten dokumentet duke kërkuar disa ditë që ata t’i shohin.
Në lidhje me gjithë këto, kryetari i Komisionit Adnan Rrustemi, tha se roli i tyre të bëjnë hetim apo verifikim apo konstatim të vërtetësisë së rasteve.
“Ne nuk do të qojmë letra, nuk do të dëgjojmë palë sepse nuk e kemi atë rol, ato procedura i zhvillojnë institucionet tjera. Ne po flasim për integritetin e një institucioni të rëndësishëm të cilën zotriu e ka dëmtuar me sjelljen e tij, nuk është këtu as politike as personale”, u shpreh Rrustemi duke shtuar se të gjitha dokumentet mund të kërkohen dhe t’iu sigurohen komisionit.
Që të vazhdohet tutje me procedimin e inicimit të shkarkimit të Bekës u pajtuan edhe dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hydajet Hyseni dhe Dimal Basha.
Kështu, për votuan të gjithë anëtaret e VV-së dhe deputetit i LDK-së, Driton Selmanaj.
Ndërsa, kundër votoi deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri ndërsa dy deputetet e PDK-së, Blerta Deliu dhe Hajdar Beqa nuk morën pjesë në votim.
Në lidhje me inicimin e shkarkimit të Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, “Betimi për Drejtësi”, ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Beka, por i njëjtit me të kuptuar se është telefonuar nga mediumi, ka ndalur telefonin.
Në hulumtimin “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, nga emisioni “Betimi për Drejtësi”, shpërfaqej se si Agron Beka kishte ushtruar ndikimin e tij si anëtar i KPK-së për polemikat në Universitete që nuk ndërlidheshin me punën e tij në KPK.
Pasi atij iu ishin kërkuar raportet për orët e mbajtura në universitet, kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku kishte ndërhyrë, duke iu drejtuar Fakultetit Juridik të UMIB me dy shkresa të veçanta në mbrojtje të Bekës.
Madje, Beka kishte thënë se atij po i pengohet puna e tij si anëtar i Këshillit dhe se këto do t’i ngriste në mbledhjet e KPK-së.
Pas publikimit të hulumtimit, Agron Beka kishte filluar një fushatë persekutuese ndaj Institutit të Kosovës për Drejtësi dhe Betimi për Drejtësi. Beka ka shfrytëzuar takimin e hapur të KPK-së për ta bërë këtë, përkundër faktit se i njëjti ka refuzuar vazhdimisht ftesat e “Betimi për Drejtësi” për t’u intervistuar në këtë emision dhe për të dhënë versionin e tij.