Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është autoriteti kryesor – mbikqyrës i Gjykatave të rregullta që ndajnë drejtësinë në Kosovë. Por quditërisht Zyra kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje edhe nga KGJK, sa i përket menaxhimit të parasë publike, raporton vezhguesi.com
Në raportin e auditimit për KGJK-në, për vitin 2022, një shkelje që dëshmon qartë keqpërdorimin është përdorimi i petty cashit apo parasë së imët në mënyrë të kundërligjshme.
Sipas nenit 29 të rregullit financiar nr. 01/2013 – për shpenzimin e parasë publike, organizatat buxhetore kanë të drejtë të shfrytëzojnë këtë mundësi për blerjet që paraqiten në situata të paparashikuara ose për blerjet e vogla nën shumën 100 euro.
KGJK kishte shpenzuar nga ky fond 5300 euro, për blerje që mund të bëheshin përmes procesit të rregullt të shpenzimeve, pra përmes procedurës së prokurimit.
Por kinse për t’i ikur shkeljeve, KGJK ka bërë ndarje të shpenzimeve në disa fatura nën vlerën 100 euro me qëllim të keqshfrytëzimit të këtij fondi, në kundërshtim me rregullën financiare të lartëcekur, raporton vezhguesi.com

Zyra Kombëtare e auditimit në raportin e saj potencon se përdorimi i parasë se imët për shpenzimet të cilat nuk janë të lejuara me këtë fond, rezulton me shmangie të procedurave të prokurimit dhe ndarja e faturave rritë mundësinë e keqpërdorimit të parasë së imët.
Ky keqpërdorim nga autoriteti më i lartë gjyqësor në Kosovë, rritë edhe më tutje mos besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë. /Vezhguesi.com/