Një aksident trafiku ka ndodhur sot në rrugën rajonale Skenderaj – Drenas, saktësisht në fshatin Polac, për të cilin raportoi vëzhguesi.com.
Si pasojë e aksidentit janë lënduar dy persona, ku njëri prej tyre ishte lënduar rëndë. A.G 30-vjeçar është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, e më pas për shkak se ishte në rrezik për jetë, është transportuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Viktima nuk ka arritur që t’i përballojë plagët e marra në aksident dhe si pasojë ka ndërruar jetë sonte në spital.
Rastin tragjik e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se nga aksidenti kishte mbetur i lënduar edhe pasagjeri.
“Në aksident është përfshirë një veturë, ku si pasojë e aksidentit lëndime kanë pësuar shoferi dhe pasagjeri . Ndërsa sonte rreth orës 22:00, është raportuar se si pasojë e lëndimeve në QKUK ka vdekur i shoferi i veturës”, tha Zahiti.
Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, me ç’rast i ndjeri kishte humbur kontrollin dhe ishte përplasur me anësoret e rrugës.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.