Më 28 shkurt, mbi 80 mijë punëtorë të sektorit publik i kanë marrë pagat e para me Ligjin e ri për Paga, që ka hyrë në fuqi më 5 shkurt. Ministria e Financave dhe ajo e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se shtesat do të paguhen në mënyrë retroaktive, mirëpo, policëve nuk u janë paguar shtesat e rrezikshmërisë. Nëse këto shtesa nuk ekzekutohen me pagën e muajit maj, kryesindikalisti, Imer Zeqiri, paralajmëron veprime sindikale.
Qysh prej hyrjes në fuqi të Ligjit të ri të Pagave, policëve të Policisë së Kosovës, nuk u janë paguar shtesat e rrezikshmërisë. Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri ka thënë se nëse shtesat nuk ekzekutohen me pagat e muajit maj, do të ndërmarrin veprime sindikale.
“Shtesat e rrezikshmërisë prej që kanë filluar të paguhen pagat me ligjin e ri të pagave, nuk i kanë ekzekutuar për Policinë e Kosovës, asnjë muaj, edhe pse kanë premtuar çdo muaj. Ne kemi lëshuar një komunikatë për media dhe i kemi bërë me dije Qeverisë që nëse edhe këtë muaj, me pagën e muajit maj, nuk do të ekzekutohen, do të fillojmë me veprime sindikale. Jemi duke u përgaditur, të shohim se si do t’ia dalim”, tha Zeqiri.
Ai bëri të ditur se grupi punues ka dorëzuar nivelet e rrezikshmërisë në Ministrinë e Financave, por nuk është bërë ekzekutimi i shtesave.
Zeqiri deklaroi se nuk kanë informacione se pse po ndodh një gjë e tillë.
“Që tre muaj kanë thënë se do t’i paguajnë në mënyrë retroaktive edhe për shtesën e rrezikshmërisë, Ministria ka thënë se të formohet një grup punues brenda menaxhmentit policor, i cili e ka kryer punën e vet dhe në mes të marsit e ka dorëzuar nivelet e rrezikshmërisë në Ministri duke e arsyetuar çdo nivel të rrezikshmërisë në Polici, por ata nuk e kanë bërë ekzekutimin. Nga ana jonë gjithçka ka shkuar në rregull, ata po arsyetohen që nuk kanë mundur ta bëjnë kalkulimin e tyre. Në këtë kohë, me këtë sistem të avancuar, ato bëhen për 1 orë jo për 3 muaj. Por nuk kemi informacion të saktë se pse nuk po ndodh kjo, nuk kemi përgjigje konkrete prej tyre”, tha ai.