Gjykata Kushtetuese ka mbyllur përfundimisht çështjen lidhur me ankesat për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit duke obliguar kështu Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin ta dekretojë Blerim Isufajn si kryeprokuror, njofton vezhguesi.com
Kjo u bë e ditur sot nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës përmes një njoftimi.
Kushtetuesja ka konsideruar se vendimet e Gjykatave të rregullta nuk kanë shkelur paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta në gjykim të paanshëm) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë që Aktgjykimi [ARJ.nr.114/2022] i 23 dhjetorit 2022 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës ndërlidhur me Aktvendimin [AA.nr.650/2022] e 1 shtatorit 2022 të Gjykatës së Apelit dhe Aktvendimin [A.nr.1875/22] e 2 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta në gjykim të paanshëm) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”, thotë vendimi i Kushtetueses.
Kështu, Presidentja do të obligohet ta dekretojë Blerim Isufajn si kryeprokuror të Shtetit.
Njoftimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese mund t’a gjeni në këtë LINK
Kujtojmë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka treguar hapur që është kundër tij për t’u zgjedhur në pozitën e kryeprokurorit, pasi që u arrestua bashkëpartiaku i tij Nagip Krasniqi nga prokuroria speciale, ku aktualisht Blerim Isufaj është kryeprokuror i kësaj prokurorie.
Ndërsa presidentja Vjosa Osmani ka refuzuar që t’a dekretoj të njejtin me arsyetimin që po pret epilogun deri të vendos Gjykata Kushtetuese, por pas këtij aktgjykimi ajo do të jetë e detyruar t’a dekretoj Blerim Isufaj në pozitën e kryeprokurorit të shtetit. /Vezhguesi.com/