Bashkimi Evropian tri ditë më parë njoftoi që kanë hyrë në fuqi masat ndaj Kosovës, si pasojë që Kosova nuk ka ndërmarrë hapat e kërkuar për uljen e tensioneve në veri. Pezullimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, mosftesa e Kosovës në takime të nivelit të lartë, ndalja e Fondeve për Kosovën nga IPA etj…ishin disa nga masat e BE-së ndaj Kosovës, por vezhguesi.com merr vesh që Gjermania, ndër shtetet kryesore të BE-së, ka vënë masa ndaj Kosovës edhe në sektorin e sigurisë.
Vezhguesi.com gjatë javës së kaluar, mori vesh që disa oficer të FSK-së të cilët kanë qenë të zgjedhur të ndjekin trajnime në Gjermani, janë njoftuar që Trajnimet Profesionale për Zhvillim në Karrierë për vitin 2024 dhe 2025 janë anuluar.
Për të kuptuar arsyjen, nëse anulimi i trajnimeve lidhet gjendjen politike dhe sanksionet ndaj Kosovës, vezhguesi.com kërkoi përgjigje nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Sot me datë 4 korrik, Ambasada Gjermane në Kosovë, në përgjigjen për vezhguesi.com tha se “Qeveria Federale Gjermane ka vendosur që të reduktojë ndjeshëm bashkëpunimin me Kosovën, duke përfshirë edhe fushën e sigurisë”.
Në përgjigjen e tyre, theksohet që Gjermania ka vendosur masa ndaj Kosovës në fushën e sigurisë duke ndërprerë çdo bashkëpunim bilateral me Kosovën, deri në de-përshkallëzimin e gjendjes në veri të vendit.

Në fund të email-it Ambasada Gjermane thekson se mbështetë përpjekjet e BE-së, të dërguarit të posacëm të BE-së Miroslav Lajçak dhe dialogun e udhëhequr nga BE.
Kujtojmë që trajnimet e oficerëve të FSK-së të anuluara nga Qeveria Federale Gjermane, janë shumë të nevojshme për zhvillimin e FSK-së dhe për avancimin në grada ndaj oficerëve të përzgjedhur për të mbajtur trajnimet. /Vezhguesi.com/