Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, deklaron se ka marrë konfirmim edhe nga Biblioteka e Firencës se Avni Puka, dekan i Juridikut, nuk ka askund në Itali disertacion të temës së doktoratës.
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare Enver Hasani e ka denoncuar Avni Pukën, Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, se ka mashtruar kur ka njoftuar se ka kryer doktoratë në Itali në Universitetin “La Sapienza”. Si përgjigje, ky i fundit ka paraqitur në publik një diplomë dhe ka paralajmëruar se ndaj Hasanit do të ndjek rrugët ligjore.
Por, ish rektori nuk është tërhequr nga faktet që i posedon, prandaj insiston se Puka ka mashtruar.
Në emisionin “Konfront” në KTV ai thotë se disertacioni i dekanit Puka nuk ekziston në Itali.
“S’mund të jesh doktor pa disertacion, pastaj është kundër ligjit me përdor diplomë siç e ka përdorë, kur i kanë ngarku në uebfaqen e fakultetit. Duhet me nostrifiku, unë kam lyp diseraticion. Kam marrë konfirmimin përfundimtar në Bibliotekën Qendrore të Firencës dhe në Romë që thotë asnjëherë, disertacioni i z.Puka nuk është, nuk ekziston”, deklaroi ai në “Konfront”, transmeton Gazeta Express
Sipas Hasanit, diploma që e ka paraqitur Puka është fiktive.
“S’ka universitet në Europë… që disertacionin e doktoratës nuk e deponon në fakultet, në bibliotekë dhe online. Ky e ka përdorë atë dokument fiktiv”, u shpreh ai.
I pyetur për paralajamërimin e Pukës se mund ta padis, Hasani thotë se Puka s’ka disertacion.
“Unë i kam thënë, ai do padis as sa Lumezi, sepse këtë diplomë ai duhet me kërku nostrifikim dhe me sjellë disertacionin me shkrim, kur ka nis studimet kur ka përfundu. Ai është një dokument i cili nuk ka disertacion, sepse i kam letrat që ma konfirmojnë bibliotekat e Romës. Nuk ekziston askund në territor të Italisë”, u shpreh ai.
Si rrjedhojë, Hasani pohon se Puka është “shembull i keq dhe dekurajues që të rinjtë të studiojnë tek ne”.
Ai tha se diploma e Pukës nuk është nostrifikuar në Kosovë, asnjëherë, teksa deklaron se në UP ka plotë diploma që janë fiktive.
“Duhet me qenë mësim për gjithkond që ka diplomu jashtë, mi ndjek procedurat ligjore, për qata shteti është, nostrifikimi. Ka fitu titullin akademik, me një diplomë që s’është e nostrifikuar, menjëherë duhet të anulohet. Kemi plotë diploma që janë fiktive, nuk janë nostrifikuar”, tha ai.
“Mos me leju një mashtrues me u barazu me dikë që ka hjek të zitë e ullirit me studiu. Diploma nuk guxon me qëndru e pa-nostrifikuar”, u shpreh tutje Hasani, transmeton Gazeta Express.
I njëjti pohon se duhet verifikohen edhe doktoratat e tjera.
Lidhur me denoncimin e Hasanit nuk ka reaguar rektori Qerim Qerimi, as ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, as Agjencia për Akreditim e Kosovës, as fakulteti Juridik. Prodekanët e Juridikut kanë deklaruar për Express se nuk duan të përfshihen në këtë çështje.
Ndërkohë, Hasani ka konfirmuar për Express se nuk është kontaktuar as nga policia e as nga prokuroria për t’i ofruar dëshmitë të cilat i posedon dhe beson se Puka ka mashtruar. /Gazeta Express