Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është deklaruar nga Dubrovniku për situatën në Kosovë dhe tensionet me Serbinë.
Sipas tij, zgjidhja më e mirë për daljen nga kriza është që Prishtina dhe Beogradi të pranojnë planin trepikësh, që është prezantuar nga Bashkimi Evropian, transmeton Paparaci.
“Ne kemi indikacione pozitive se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është i gatshëm ta pranojë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duhet të bindet pak më shumë”, u shpreh ai, raporton Jutarnjilist.
“Shpresojmë që Kurti në një moment të përmbushë kërkesat evropiane dhe amerikane. Pasojat nuk janë masa ndëshkuese, por janë mundësi të humbura për të dyja vendet nëse refuzojnë propozimin për dalje nga kriza”, shtoi ai.
Diplomati amerikan sqaroi se për Kosovën kjo do të thotë distancim nga partnerët ndërkombëtarë, kurse për Serbinë mos-avancim drejt rrugës në BE.
“Partneriteti ynë me Kosovën është partneritet me popullin e Kosovës, jo me një parti apo figurë politike. Përkushtimi ynë ndaj KFOR-it dhe investimi në të ardhmen e Kosovës mbetet i fortë”.