I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po merr pjesë në Forumin e Dubrovnikut, ku ka ndarë gjashtë shtetet e rajonit në dy rrugë.
Escobar ka thënë se në njërin shirit janë shtetet anëtare të BE-së si stabile e kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe tjerat që përballen me sfida të veta.
Emisari amerikan ka përfshirë Kosovën në mesin e tri shteteve të Ballkanit Perëndimor, që kanë udhëheqësi që besojnë se popullizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rruga përpara.
“Isha optimist se mundësia fantastike ekonomike do të na mundësojë të zgjidhim çështjet politike. Fatkeqësisht vetëm gjysma është e vërtetë. Rajoni është ndarë në dy shirita, njëri me shtetet në NATO që janë shumë më stabile, kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe të vendosur në rrugën drejt integrimit evropiane dhe tjetri që po konsumojnë vëmendjen dhe burimet e të tjerëve në rajon teksa ngecin me sfidat e veta. Dallimet kyçe janë që shtetet që janë në NATO dhe që kanë pasur zhvillimet më të mëdha janë ato që kanë tejkaluar sfidat e rivaliteteve etnike. Dhe ata që vazhdojnë të kenë lidership që beson se populizmi, nacionalizmi e rivalitetet etnike janë rrugët përpara, janë ata që po shohin më shumë sfida. Shpresoj të shohim të dyja, zgjerimin evropian, dialogun dhe angazhimin e fuqishëm amerikan që t’i ndihmojmë tri shtetet të lëvizin dhe të kthehen në rrugën që duhet të jenë, në përputhje me BE-në dhe fqinjët e tyre që po bëjnë shumë më mirë se ato”, ka thënë ai.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e NATO-s. Kosova, Serbia e Bosnja nuk janë pjesë e NATO-s.
Ai i është përgjigjur edhe ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, që u shpreh se BE-ja pa SHBA-në dhe NATO-n është “tigër prej letre”.
Sipas Escobarit, gjithçka pozitive që ka ndodhur në gjeneratën e fundit ka qenë nga bashkëpunimi amerikano-evropian.