Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i është përgjigjur disa zërave kritikues se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka bërë asgjë për uljen e tensioneve dhe se ndaj tij nuk ka pasur “trysni kaq të madhe”.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, diplomati amerikan tha se kjo nuk është e vërtetë.
Sipas tij, Vuçiq ka kundërshtuar gjithçka që ShBA-të bashkë me BE-në bënë përgjatë 90 ditëve të fundit.
“Kjo nuk është e vërtetë. Pra, siç e thashë, ai kundërshtoi gjithçka që ne bëmë gjatë 90 ditëve të fundit. E megjithatë ne vazhduam përpara. Ne gjithashtu i kemi kërkuar Serbisë të heqë forcat nga kufiri në mënyrë të njëanshme, pa kushte; të inkurajojë serbët të rikthehen pa kushte. Dhe ai ka rënë dakort për të dyja këto. Pra nuk është e qartë se çfarë na nevojitet tjetër, përveçse të përparojmë me dialogun”, tha ai.
Ai u pyet se çfarë do të ndodhë nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do t’i dëgjojë këshillat e amerikanëve.
Escobar u shpreh se kjo çështje nuk është ndërmjet ShBA-së dhe Kurtit. Ai u shpreh se ndërkombëtarët po i thonë Qeverisë së Kosovës se dëshirojnë të bashkëpunojnë me ta, “por s’i respektojnë vendimet e njëanshme që krijojnë tensione të panevojshme”.
“Kjo nuk është një çështje SHBA – Kurti. Këtu është i gjithë komuniteti transatlantik që po i thotë qeverisë së Kosovës se dëshirojmë të bashkëpunojnë me qeverinë, por ne nuk mund të respektojmë vendime të njëanshme që krijojnë tension në një mënyrë të panevojshme, të shmangshme dhe të parashikueshme. Kjo është e gjitha çfarë po kërkojmë”, tha ai.