Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian po shqyrtojnë mundësinë për masa sanksionuese kundër Kosovës, dhe të cilat duket se do të jenë të prekshme e direkte ndaj të paktën dy liderëve tanë. Euronews ka raportuar për një gjë të tillë me anë burimesh.
Sanksionet pritet të jenë dy-fazëshe për çështjen e deeskalimit të situatës në veri.
Kjo do të përfshinte sanksionin e kryeministrit Kurti dhe ministrit të brendshëm Xhelal Sveçla, sipas një teksti të brendshëm qeveritar amerikan.
“Faza e parë e sanksioneve do të shihte ngrirjen e fondeve të BE-së, procesit të liberalizimit të vizave, procesit të anëtarësimit për Këshillin e Evropës, fondeve të ShBA-ve dhe projekteve tjera të financuara nga Perëndimi.” – thuhet në këtë raportim.
Më pas, në fazën dy, do të ndodhte ajo që edhe është paralajmëruar. Do të kishte qasje pasive sa i përket fushatës për çnjohje nga Serbia. Por, edhe më i rëndë është sanksioni për “riorganizim të pranisë ushtarake ndërkombëtare dhe pakësim serioz të kontingjentin amerikan, dhe përjashtim të Kosovës nga organizatave të caktuara ndërkombëtare.”
Po ashtu, paralajmërohet që do të kishte sanksione individuale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të brendshëm Sveçla.
“Kjo mund të përfshijë shpalljen e tyre “non grata” me arsyen se përbëjnë kërcënim të sigurisë dhe paqes.”
Dokumenti në fjalë tutje thekson që kishte pasur një bindje se probleme do të kishte me Serbinë, të cilën e quajnë palë “kryefortë dhe jokonstruktive”, por jo edhe me Kosovën.
Në atë tekst të cituar nga Euronews, tutje vijohet se “askush nuk kishte pritur që do të ishte Qeveria e Kosovës që, me veprimet e saj, do të promovonte pasiguri dhe do të ushqente kriza e konflikte.”
Teksti tutje shton se komuniteti ndërkombëtar e kishte humbur durimin me Qeverinë e Kosovës, dhe që e priste një përgjigje të qartë nga Qeveria e Kosovës: “A është apo jo partnere e komunitetit transatlantik?”
Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit, diplomatët amerikanë e kanë ashpërsuar gjuhën ndaj Qeverisë së Kosovës duke treguar haptas për probleme në marrëdhëniet mes tyre.
Pasoja shtesë kishte paralajmëruar edhe ambasadori Jeff Hovenier, derisa njoftonte për përjashtimin e Kosovës nga Defender 23, një ushtrim i madh i udhëhequr nga NATO.
Sidoqoftë, Nacionale nuk e ka parë dokumentin e cituar nga ky medium dhe nuk ka arritur ta konfirmojë në mënyrë të pavarur përmbajtjen e tij.