Gjykata e Moskës ka dënuar gazetaren Marina Ovsyannikova, e cila protestoi drejtpërdrejt në transmetim kundër pushtimit rus të Ukrainës, me 8.5 vjet burg.
45-vjeçarja, i cila u gjykua në mungesë, u shpall fajtore për “përhapjen e informacionit të rremë me vetëdije” për forcat e armatosura ruse, shkruan BBC, transmeton KlanKosova.tv.
Ajo u largua nga Rusia me vajzën e saj vitin e kaluar pasi u arratis nga arresti shtëpiak. Ajo i cilëson akuzat si “absurde”.
Vendndodhja aktuale e Ovsyannikova nuk dihet. Ajo i ka cilësuar akuzat ndaj saj si “të motivuara politikisht”.
“Sigurisht që nuk e pranoj fajin”, ka shkruar ajo në një deklaratë para vendimit. Ajo shtoi se kishte bërë “një zgjedhje shumë të vështirë, por të vetmen korrekte morale” dhe tani ishte e detyruar të jetonte në mërgim. Pavarësisht se janë në shënjestër të autoriteteve ruse, shumë gazetarë ukrainas dhe disidentë rusë kanë shprehur mosbesim ndaj Ovsyannikova, duke vënë në dukje karrierën e saj të mëparshme për mediat shtetërore ruse.
Vizita e saj në Ukrainë verën e kaluar për të mbuluar luftën për gazetën gjermane Die Welt zemëroi shumë ukrainas, të cilët kërkuan shkarkimin e saj të menjëhershëm.