Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka përsëritur deklaratën e saj se Bashkimi Evropian pa SHBA-në dhe NATO-n është tigër prej letre, duke shtuar se ky institucion nuk është në gjendje dhe s’ka kapacitet për të garantuar siguri.
Gërvalla ka shkruar në Facebook mesnatën e së hënës se BE-ja e di këtë dhe prandaj “vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit”.
“I sfidoj publikisht ‘specialistët’, që para se të mësyjnë me sulme personale dhe etiketime nga më absurdet, të na tregojnë saktë se cila nga shkronjat e citatit të mësipërm është e pasaktë apo e pavërtetë. Unë jam zëvendëskryeministre dhe ministre e Republikës së Kosovës, nuk jam zëdhënëse as e BE-së dhe as një mekanizmi tjetër. Si çdo politikan i përgjegjshëm, me fanatizëm dhe zë të lartë mbroj të vërtetën dhe interesin e vendit tim, dhe vetëm të vendit tim, kudo që më krijohet mundësia të flas, ashtu si edhe të tjerët mbrojnë interesin e vendeve apo organizatave që përfaqësojnë”, ka deklaruar ministrja e Jashtme.
Sipas Gërvallës, fatkeqësi e Kosovës është gjendja e mjerueshme e partive opozitare, pasi shtoi se opozita edhe gjatë qeverisjeve të kaluara, s’ka pasur plan, strategji, pa vizion e pa dinjitet.
“Opozitë që përveç sulmeve personale, të bazuara në thashetheme dhe tituj bombastik dhe të pasaktë, asgjë nuk ofron”, shtoi ai.
Ministrja e kabinetit të kryeministrit Albin Kurti është shprehur se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), nuk është e para që dëshiron “ta shohin as fizikisht në Kosovë”.
“E sa për PDK-në, e cila tenton të na frikësojë që, nëse ajo vjen në pushtet, ne nuk paskemi më vend në Kosovë, mundem vetëm t’iu përkujtoj që nuk janë të parët që nuk dëshirojnë të më shohin as fizikisht në vendin tim. I kam pasur vetëm 8 vjet kur më kanë përzënë për herë të parë nga vendi im. Por ata që për 19 vjet me radhë (1980-1999) më privuan nga e drejta për t’u kthyer në vendin tim, madje as edhe sa për të kthyer eshtrat e babait në tokën e tij, janë ata që nuk kanë më vend në Kosovën e lirë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, për ish-partinë e saj, Lidhjen Demokratike të Kosovës, Gërvalla ka thënë se nuk do të flasë këtë radhë.
“E për LDK-në, nuk po flas sonte. Po flasin kaq shumë vet, po vajtojnë, shajnë, mallkojnë e gënjejnë, saqë çdo fjalë nga ime do të ishte e tepërt”.