Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dhënë detaje mbi gjendjen e tre policëve të kidnapuar nga forcat speciale serbe, pas vizitës që shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ua ka bërë atyre.
Sipas Gërvallës, të tre policët e kidnapuar kanë theksuar se gjatë mbajtjes 48 orëshe në Beograd, ata kanë theksuar se nuk janë maltretuar fizikisht por s’iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm.
“Kanë theksuar se gjatë kësaj periudhe 48-orëshe nuk janë maltretuar fizikisht por s’iu është dhënë ushqim i mjaftueshëm – vetëm nga një copë bukë dhe jo më shumë, ndërsa Sheh Mustafa, i cili ka probleme shëndetësore me organet e frymëmarrjes i është vetëm një injeksion – nuk dihet me çfarë efekti dhe një pompë për frymëmarrje”, tha Gërvalla.
Gërvalla tha se të tre policët po mbahen në dhoma të veçanta, por s’kanë qasje as në televizion e as në gazeta.
“Sipas tyre, trajtimi nga ana e gardianëve të burgut është korrekt. Atyre iu jepet ushqim në baza të rregullta ditore, edhe pse cilësia është jo e mirë. Dje nga autoritetet e burgut iu janë dhënë të brendshme dhe aksesorë të higjienës. Sheh Mustafa ka theksuar se i mungojnë ende medikamentet bazike të cilat i përdor rregullisht për gjendjen e tij shëndetësore dhe kjo po ia vështirëson qëndrimin në burg”, tha Gërvalla.
Ajo tha se përmes “ambasadorit” Jashari dhe me familjen e Mustafës do të përpiqen që t’ia sigurojnë medikamentet e nevojshme.