Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për t’ia vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin serbit Milun Milenkoviq (Llune) i arrestuar në veri të Kosovës si i dyshuar për dhunë ndaj forcave të KFOR-it, policisë së Kosovës dhe gazetarëve, si kryeorganizator i protestave të dhunshme atje.
Lajmi është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehuri M.M, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, thotë Gjykata.
Për “Llunen” thuhet se është një nga organizatorët e tashmë organizatës terroriste në Kosovë “Mbrojtja Civile” dhe një ndër organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it.