Trupi gjykues ka caktuar dëmshpërblim prej 207 mijë euro për viktimat në çështjen e Salih Mustafës. Këtë shumë do të marrin tetë viktima, tri të drejtpërdrejta dhe pesë jo të drejtpërdrejta. Ndërsa, nga Kosova, trupi gjykues ka kërkuar edhe formimin e një mekanizmi për zhdëmtim, që të kompensohen viktimat e caktuara nga Gjykata Speciale, e për të cilat përgjegjësinë e mban Mustafa.
207 mijë euro është shuma që trupi gjykues ka caktuar për dëmshpërblim të viktimave në rastin kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.
Trupi gjykues ka konstatuar se është provuar që janë viktima të krimeve, për të cilat Mustafa është shpallur fajtor, dhe është dënuar me 26 vjet.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt Foglia, ka thënë se këtë dëmshpërblim do e pranojnë tetë viktima, pasi pësuar dëm mendor, fizik e material si dhe pasoja afatgjate nga torturat.
“Trupi gjykues lëshon urdhër për zhdëmtim kundër zotëri Salih Mustafa. Vendosë për dëmshpërblim për viktimat e drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta, akordon zhdëmtim individual në formë të kompensimit, cakton si shumë të zhdëmtimit, për të cilin Mustafa është përgjegjës, vlerën 207 mijë euro, urdhëron zotëri Mustafën të paguajë si kompensim për dëmin e shkaktuar, 30 mijë euro viktimës 8, 80 mijë euro viktimës 9, 60 mijë euro viktimës 10, nga 10 mijë euro viktimave 5, 6 dhe 12, 5 mijë euro viktimës 11 dhe 2 mijë euro viktimës 13”, u shpreh Mappie Veldt Foglia – Kryetare e Trupit Gjykues.
Megjithatë, më 4 shkurt të vitit 2022 trupi gjykues kishte vendosur se në rast të një vendimi fajësie nuk do të udhëzonte viktimat të ngrinin padi civile në gjykatat e Kosovës, por vetëm do të nxirrte një urdhër për zhdëmtim.
Prandaj, ka ftuar Kosovën të krijojë një mekanizëm zhdëmtimi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
“Fton Kosovën të krijojë një mekanizëm të ri zhdëmtimi për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DhSK-së. Urdhëron administratoren të ja përcjellë këto urdhër për zhdëmtim në versioni ne redaktuar publik të tij qeverisë së Kosovës dhe rekomandon krijimi ne një fondi me nismën e DhSK-së për viktimat e krimeve të përfshira në juridiksionin e DhSK-së në rast se Kosova nuk i përmbush detyrimet e saj ndaj viktimave brenda një kohe të arsyeshme përmes krijimit të një mekanizmi për zhdëmtim”, deklaroi Mappie Veldt Foglia – Kryetare e Trupit Gjykues.
E pas vendimit që viktimat të dëmshpërblehen, trupi gjykues ka dhënë vërejtje në ligjin e Kosovës për të trajtuar dëmet dhe lëndimet e pësuara në kontekst të luftës.
“Trupi gjykues vuri re që Kosova nuk ndërmori asnjë hap për t’u përgatitur për nevojën për të mundësuar zhdëmtimin e viktimave të përfshira në juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Kosova parashikoi nevojën ta mbështetë mbrojtjen e të dyshuarve dhe të akuzuarve para DHSK-së. Është e rëndësishme t’i kujtojë Kosovës detyrimet e saj në lidhje me të drejtat e viktimave për mjet juridik efektiv”, tha Mappie Veldt Foglia – Kryetare e trupit gjykues.
Kundër këtij vendimi ka reaguar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku. Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook vendimin e ka quajtur “poshtërsi e Gjykatës Speciale”.
“Përveç që e kanë dënuar padrejtësisht e politikisht me 26 vite burg, marrin vendim kundër Calit që t’i paguaj ‘viktimat’ me 207 000 €. Me siguri që kështu nuk ka qenë as në kohën e Jugosllavisë. P.S Le t’i paguaj gjykata ata që i konsideron viktima, sepse para po kanë për vehten e tyre”, ka shkruar Klinaku.
Ky është rasti i parë që Dhomat e Specializuara në Hagë marrin vendim për zhdëmtimin e viktimave.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Salih Mustafa është shpallur fajtor për krime lufte dhe është dënuar me 26 vjet burgim.