Eman Rrahmani dhe Visar Korenica e kanë dërguar në një nivel tjetër përçarjen e tyre me Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga shefi i tyre, Albin Kurti.
Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, ia kanë hedhur poshtë Qeverisë Kurti propozimin për shkarkimin e një anëtareje të OSHP-së.
Rrahmani dhe Korenica kanë votuar kundër propozimit të Qeverisë së Kosovës, të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, për shkarkimin e Kimete Gashit, anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, me arsyetimin se ajo kishte nënshkruar një vendim të dëmshëm lidhur me tenderin për insulina.
Qeveria e ka miratuar në maj të këtij viti propozimin për shkarkimin e Kimete Gashit dhe atë ia kishte proceduar kuvendit.
Vet shefi i qeverisë e ka propozuar shkarkimin e Gashit.
“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet furnizimi me insulina pa autorizim marketingu”, ka thënë Kurti në mbledhjen e qeverisë më 10 maj. “Detyrohemi të marrim masa”.
Megjithatë, propozim-vendimi i Kurtit ka ngecur në komision parlamentar. Aty është ‘rrëzuar’ nga deputetët e tij të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë abstenuar në shqyrtimin e propozimit në mbledhjen e komisionit të hënën.
Abstenimet e Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës kanë rezultuar në dështimin e kësaj pike.
Rrahmani, në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Buxhet, ka kërkuar që qeveria ta ndryshojë propozimin. Ka rekomanduar shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OSHP-së, e jo vetëm shkarkimin e Gashit.
“Në bazë të konkludimeve që i kemi pasur në këtë komision, edhe sipas deklarimeve të vet qeverisë, është konstatu se përgjegjës janë të gjithë anëtarët e bordit. Dhe, si i tillë, unë mendoj se nuk kemi të drejtë t’i rekomandojmë kuvendit shkarkimin e vetëm një anëtareje të bordit. Kështu që, unë propozoj që qeverisë t’i kërkohet të vijnë të gjithë emrat e atyre që kanë qenë përgjegjës të këtij vendimi mbi të cilin është mbështetur qeveria për shkarkimin e anëtares [Kimete Gashi]”, ka thënë Rrahmani.
Në shqyrtimin e propozimit, ka abstenuar edhe deputetja boshnjake e koalicionit qeverisës, Duda Balje.
Rrahmani, Korenica dhe një pjesë tjetër e deputetëve të LVV-së, të cilët përbëjnë një grup prej mbi dhjetë deputetësh, kanë krijuar një ndasi në Grupin Parlamentar të LVV-së pas procedimit në kuvend nga qeveria të Projekt-Kodit Civil, i cili parasheh lejimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë.
Ish-deputeti i Vetëvendosjes, tash i pavaruri Haki Abazi, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) javën e kaluar paralajmëroi mundësinë e një tjetër ‘krisje’ brenda grupit të deputetëve të LVV-së nëse qeveria insiston ta procedojë në kuvend sërish, të pandryshuar, Projekt-Kodin Civil. /Paparaci.com