Kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, me vendime të ndara ka emëruar katër drejtorë të rinj komunalë.
Të martën, katër drejtorë nga radhët e komunitetit serbë i janë shtuar kabinetit qeverisës të Hetemit, i cili po vazhdon të qëndrojë “i ngujuar” në objektin komunal të Leposaviqit prej rreth një muaji.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
“Nga sot, Violeta Sakic, Nikola Radomirovic, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinetit të Kryetarit Hetemi”, ka thënë Krasniqi në një shkrim në Facebook.
Ministri Krasniqi është takuar sot me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, me të cilin ka diskutuar për sfidat me të cilat po përballet komuniteti serb.
“Me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, diskutuam për inciativat e ndryshme të kësaj ministrie. E informova për krijimin e mundësive për qytetarët nga komuniteti serb si dhe biseduam edhe për inkuadrimin e serbëve lokal në qeverisjen lokale me ç’rast e informova për vendimin e fundit të Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemit për emërimin e katër drejtorëve të tjerë”, tha ai.
“Bashkëpunimi me komunat do të vazhdojë, përkrahja nga qeveria nuk do të mungojë”, ka shkruar ai.