Hoxha nga Shkupi Zekerija Idrizi ka dhënë një deklaratë befasuese. Përmes një postimi në Facebook ai ka kritikuar ceremonitë mortore (varrimet) te muslimanët, të cilat mbahen në gjuhen arabe, përkatësisht gjuhen e Kuranit – librit të shenjtë të religjionit Islam, transmeton vezhguesi.com
Deklarata e Hoxhë Idrizi është e dalluar dhe e rrallë në mesin e kolegëve të tij, duke dhënë propozime se te muslimanët shqiptarë, duhet të mbahen ritualet e varrimit në gjuhen shqipe.
“Duhet të ndalet predikimi në gjuhë arabe me rastin e ceremonive mortore, nga i cili nuk merr vesh gjë prej gjëje bota shqiptare. Në to duhet të jehojë gjuha e ëmbël dhe e bekuar shqipe” shkroi ai.
Në këtë shkrim të titulluar “TË JETOSH SHQIPTARISHT – TË VDESËSH ARABISHT”, shihet një frustrim i Hoxhës ndaj një pjese të besimtarëve Islam, duke mos kursyer as fyerjet: “Talebanë shqipfolës”, “Me mjekrra të çoroditura”…etj.
Postimi i plotë i Hoxhës nga Shkupi Zekerija Idrizi:
TË JETOSH SHQIPTARISHT – TË VDESËSH ARABISHT
Paradoks mbi paradokset është fakti që njeriu të lind, të rritet, të shkollohet dhe të jetoj shqiptarisht, kurse, në fund, të vdesë arabisht. Më tragji-komikë në shoqërinë shqiptare janë ata që flasin shqip por, mjerisht, meditojnë e ëndërrojnë arabisht. Shih ironinë, talebanët shqipfolës edhe hajnë, pijnë, vishen, flejnë, dhyhen dhe pordhin arabisht. Të këtillët, me mjekrra të çoroditura e me fustanella arabo-aziatike dhe shorce treçerekëshe edhe ajrin arbëror na e kanë ndotur se lëre më tjerat.
Mbi arkivolet e të vdekurve myslimanë hidhet një pelerinë e gjelbërt me shkrim arab. Kjo duhet të marrë fund njëherë e mirë te ne shqiptarët. Mbi arkivolet tona duhet të dominojë flamuri ynë kuq e zi me shkabën dykrenore.
Përfundimisht duhet të ndalet predikimi në gjuhë arabe me rastin e ceremonive mortore, nga i cili nuk merr vesh gjë prej gjëje bota shqiptare. Në to duhet të jehojë gjuha e ëmbël dhe e bekuar shqipe.
Shenjat pellazgo-iliro-shqiptare mbi epitafet e varrezave tona përdëshmojnë autoktonësinë tonë arbërore në trojet tona të stërlashta në Gadishullin Iliric.
AMANET/POROSI FAMILJARËVE:
MBI EPITAF TE VARRI IM TË GRAVOHET BUKUR ARTISTIKISHT FLAMURI YNË KOMBËTAR ME SHKABËN/SHQIPONJËN DYKRENORE, ME MBISHKRIMIN SHQIP ME GERMA LATINE, E JO ARABISHT!
Shqiptarisht dhe idealisht:
Hoxhë Zekerija Idrizi
Berlin/Shkup