Policia e Kosovës po i vazhdon të martën bastisjet nëpër shtëpi dhe objekte në dhe rreth fshatit Banjskë në veri të Kosovës, dy ditë pas një përleshjejeje të armatosur me një grup personash, nga e cila mbetën të vdekur një polic dhe tre sulmues.
Hyrja në fshatin e Zveçanit vazhdon të jetë e bllokuar dhe nuk dihet kur do të hapet për qarkullim, tha më 26 shtator për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
“Policia ende nuk e ka mbaruar punën, nuk dihet se kur do ta bëjë, ndoshta sot gjatë ditës”, tha Elshani.
Në Banjskë, fshatin e vogël rreth 55 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë, mund të hyjnë dhe dalin vetëm banorët e tij me nevoja urgjente, sipas Elshanit.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në Banjskë. Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën.https://zeri.info/inarticle.html
Pasi shtiu ndaj zyrtarëve policorë, grupi i armatosur iku dhe u strehua në Manastirin e Banjskës, ku i vazhdoi përleshjet me policinë e Kosovës.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi gjashtë të tjerë.
Ndërkohë në mbrëmjen e 25 shtatorit në hotelin “Banjska” janë arrestuar edhe dy persona të tjerë për armëmbajtje.
Vendet perëndimore dënuan ashpër sulmin e armatosur ndaj policisë së Kosovës dhe kërkuan një hetim urgjent dhe që personat e përfshirë të sillen para drejtësisë.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se një “formacion terrorist dhe kriminal prej 30 vetave” mori pjesë në sulm.
Kurti i përshkroi sulmuesit e armatosur si “një njësi e organizuar profesionale, që ka ardhur për të luftuar në Kosovë”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.
Vuçiqi e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin.