Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se përgjatë ditës së djeshme, ka rënë një sasi enorme e reshjeve të shiut dje në pjesën e Pejës.
Sipas IHMK-së, brenda një ore e nëntë minutash, në Pejë ka rënë sasi shiu prej 54.6 litra për metër katror.
“Gjatë orëve të pasdites (e shtunë 24/06/2023), kemi pasur një situatë të rënduar me reshje të shiut sidomos në regjionin e Pejës ku janë shkaktuar vërshime të shpejta. Situata e rënduar me vërshime në Pejë, ka ardhur si rrjedhojë e reshjeve të shiut me intensitet shumë të lartë, ku vetëm brenda 1h e 9 min. (Nga ora: 19:35 deri 20:44), kanë rënë 54.6 mm (l/m2). Kjo sasi e reshjeve për interval kohorë aq të shkurt, është e pa shmangshme pa shkaktuar vërshime, në këtë rast atyre urbane”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.
“Sqarim: lumi Bistrica e Pejës, aktualisht (25/06/2023) nuk paraqet ndonjë rrezik për përmbytje lumore. Niveli në ora 11h ishte 93 Cm, apo afro 2.5 m. nën vlerën e nivelit maksimal, tendencat janë në rënie të ngadalshme”, vijon njoftimi.
Sipas IHMK-së, përgjatë ditës në pjesën perëndimore dhe veriore të vendit do të ketë reshje me intensitet më të lartë.
“Gjatë orëve të pasdites së sotme dt: 25/06/2023, do të ketë reshje shiu të cilat në pjesën perëndimore dhe verior të vendit do të jenë me intensitet dhe shtrirje më të theksuara. Situata do të filloj gradualisht të stabilizohet gjatë ditëve në vijim”