Inteligjenca artificiale (AI) mund të zëvendësojë ekuivalentin e 300 milionë vendeve të punës me kohë të plotë, thotë një raport nga banka investuese Goldman Sachs, shkruan BBC.
Mund të zëvendësojë një të katërtën e detyrave të punës në SHBA dhe Evropë, por mund të nënkuptojë gjithashtu vende të reja pune dhe një bum produktiviteti.
Dhe përfundimisht mund të rrisë vlerën totale vjetore të mallrave dhe shërbimeve të prodhuara globalisht me 7 për qind.
Inteligjenca artificiale gjeneruese, e aftë të krijojë përmbajtje të padallueshme nga puna njerëzore, është një përparim i madh, thotë raporti.
Raporti vëren se ndikimi i AI do të ndryshojë në sektorë të ndryshëm – 46 për qind e detyrave në administratë dhe 44 për qind në profesionet ligjore mund të automatizohen, por vetëm 6 për qind në ndërtim e 4 për qind në mirëmbajtje.
Sipas hulumtimit të cituar nga raporti, 60 për qind e punëtorëve janë në profesione që nuk ekzistonin në vitin 1940.
Por studime të tjera sugjerojnë se ndryshimi teknologjik që nga vitet 1980 i ka zhvendosur punëtorët më shpejt sesa ka krijuar vende pune.
Dhe nëse AI është si përparimet e mëparshme të teknologjisë së informacionit, sipas raportit, mund të zvogëlojë punësimin në një afat të shkurtër.
Ndikimi afatgjatë i AI, megjithatë, është shumë i pasigurt. /Vezhguesi/