Qindra protestues e kanë sulmuar ambasadën suedeze në qendër të Bagdadit në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, duke u ngjitur në muret e saj dhe duke i vënë flakën në shenjë proteste kundër djegies së një Kurani në Suedi.
I gjithë personeli i ambasadës në Bagdad ishte i sigurt, thuhet nga zyra për media e Ministrisë së Jashtme suedeze në një deklaratë, duke e dënuar sulmin dhe duke e vënë theksin tek nevoja që autoritetet irakiane t’i mbrojnë misionet diplomatike.
Demonstrata e së enjtes u thirr nga mbështetësit e klerikut shiit Muqtada Sadr për të protestuar kundër djegies së dytë të planifikuar të Kuranit në Suedi brenda disa javësh, sipas postimeve në një grup popullor Telegram që e ndërlidhte klerikun me ndikim dhe media të tjera pro-Sadr.
Sadr, një nga figurat më të fuqishme të Irakut, komandon qindra mijëra ndjekës të cilët ndonjëherë i ka thirrur në rrugë, përfshirë verën e kaluar kur ata pushtuan Zonën e Gjelbër të fortifikuar rëndë të Bagdadit dhe u përfshinë në përleshje vdekjeprurëse.
Policia suedeze të mërkurën miratoi një kërkesë për një takim publik jashtë ambasadës irakiane në Stokholm të enjten, tregoi leja e policisë. Policia tha se në leje pritej të merrnin pjesë dy persona.
Agjencia suedeze e lajmeve TT raportoi se të dy planifikonin ta digjnin Kuranin dhe flamurin irakian në takimin publik, dhe përfshinte një burrë që i vuri zjarrin një Kurani jashtë një xhamie të Stokholmit në qershor.
Policia suedeze refuzoi disa aplikime në fillim të këtij viti për protesta që do të përfshinin djegien e Kuranit, duke i përmendur shqetësimet e sigurisë si arsye për refuzimet. Gjykatat që atëherë i kanë hedhur poshtë vendimet e policisë, duke thënë se akte të tilla mbrohen nga ligjet e gjera të vendit për lirinë e fjalës.
Ministria e Jashtme e Irakut gjithashtu e ka dënuar incidentin duke thënë në një deklaratë se qeveria irakiane i kishte udhëzuar forcat e sigurisë ta kryejnë një hetim të shpejtë, t’i identifikojnë autorët dhe t’i mbajnë ata përgjegjës.
Qeveritë e disa vendeve myslimane, duke përfshirë Irakun, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordaninë dhe Marokun, kanë lëshuar nota proteste për incidentin, me Irakun që kërkon ekstradimin e burrit për t’u përballur me gjyqin në vend.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu e dënuan atë, por shtuan se dhënia e lejes nga Suedia e mbështetë lirinë e shprehjes dhe nuk ishte miratim i veprimit./Reuters