Autoritetet iraniane po instalojnë kamera në vende publike dhe në rrugë për të identifikuar dhe penalizuar gratë që nuk vendosin shami, njoftoi policia të shtunën.
Pasi të identifikohen, shkelëset do të pranojnë “një mesazh paralajmërues sa i përket pasojave”, tha policia përmes një deklarate.
Ky vendim synon “të parandalojë rezistencën kundër ligjit për hixhab”, tha policia përmes deklaratës që u publikua nga agjencia e lajmeve Mizan dhe mediat e tjera shtetërore. Autoritetet shtuan se rezistenca e tillë prish imazhin shpirtëror të shtetit dhe përhap pasiguri, shkruan Euronews.
Një numër në rritje i grave iraniane kanë hequr shamitë që nga vdekja e një gruaje 22-vjeçare, e cila vdiq shtatorin e kaluar teksa ishte në paraburgim nga policia morale.
Mahsa Amini ishte arrestuar nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e hixhabit, apo shamisë. Forcat e sigurisë kanë shtypur me dhunë revoltën pas vdekjes së Aminit.
Megjithatë, rreziku për arrestim për shkak të kundërshtimit të kodit të detyrueshëm të veshjes është i lartë dhe gratë ende shihen duke mbajtur shami gjatë daljeve të tyre në qendra tregtare, dyqane e rrugë në mbarë vendin.
Por, po ashtu videot ku shfaqen gratë pa shami dhe duke i rezistuar policisë së moralit kanë vërshuar rrjetet sociale. /Vezhguesi/