Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, veprimet e kryeministrit të vendit, Albin Kurti në lidhje me situatën në veri i sheh të drejta dhe ligjore, andaj e mbështet atë.
Zeqiri, gjatë një interviste për KosovaPress, bën të ditur se është i orientuar ta çojë mandatin deri në fund, ndërsa nuk sheh ndonjë arsye për dorëheqje nga kjo pozitë, qoftë edhe nëse një gjë të tillë ia kërkon kryetari i partisë së tij.
Sipas tij, parësor për të është interesi shtetëror dhe nëse kërkohet të shkohet në zgjedhje të reja, siç kërkojnë ndërkombëtarët, duhet të gjenden format ligjore dhe jo t’ju kërkohet dorëheqja.
“Para interesave të vogla ose personale për mua para të gjithave është interesi shtetëror dhe i të gjithë qytetarëve. Sa i përket zgjedhjeve, të cilat po spekulohet tani, duhet të gjenden format ligjore sepse nuk shoh ndonjë arsye që vetëm të japim dorëheqje… Ne jemi të orientuar të çojmë mandatin deri në fund… Veprimet e kryeministrit, por edhe tonat, unë i shoh të drejta dhe ligjore sepse nuk janë dëshira tona, por janë obligime ligjore… Në këtë drejtim e mbështes (kryeministrin), sepse unë punoj për shtetin, për ligjin”, deklaron Zeqiri.
Zeqiri thotë se kur bëhet fjalë për të mirën e shtetit dhe qytetarëve në përgjithësi, ai e respekton ligjin dhe merr referenca edhe nga qeveria, pavarësisht se është anëtar i PDK-së.
Ai thotë se nuk mund të jap dorëheqjen vetëm pse këtë mund t’ia kërkojë kryetari i partisë së tij, në këtë rast, Memli Krasniqi.