Kabineti i sigurisë së Izraelit ka shpallur zyrtarisht gjendje të luftës, njoftoi zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Kjo i lejon atyre të ndërrmarin veprime që sipas tyre janë “aktivitete të rëndësishme ushtarake”.
Sipas kryeministrit kjo luftë është imponuar nga sulmi që erdhi nga Rripi i Gazës, raporton Al Jazeera.
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë sot se ShBA ka gjasa të japë ndihmë të re ushtarake për Izraelin.
Blinken thotë më vonë gjatë ditës do të japin detaje shtesë mbi ndihmën e re ushtarake për Izraelin.
“Ne po shqyrtojmë kërkesat specifike shtesë që izraelitët kanë bërë – mendoj se do të ketë informacione më shumë për këtë më vonë sot”, tha Blinken për CNN.
Ai tha se fjala e presidentit Joe Biden ishte që “të sigurohej që ne po i ofrojmë Izraelit gjithçka që i nevojitet në këtë moment për t’u marrë me sulmet nga Hamasi”.
Kryediplomati amerikan shtoi se autoritetet “po punonin jashtë orarit” për të verifikuar raportet e amerikanëve të zhdukur.
Nga ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza, të paktën 313 palestinezë janë vrarë dhe 1.990 janë plagosur në 24 orët e fundit.
Ndërkaq nga Izraeli është bërë e ditur se nga sulmet ajrore të Hamasit, kanë humbur jetën mbi 350 izraelitë, kurse qindra tjerë janë rrëmbyer.
Në anën tjetër, ministria izraelite e Mbrojtjes ka filluar sulmet ajrore mbi caqet e Hamasit në rajone të ndryshme, e së fundmit kanë goditur edhe objektin që besohej se i përkiste liderit të inteligjencës së Hamasit.