Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të serbisë, Ivica Daçiq, në një paraqitje në televizionin shtetëror serb RTS të martën, ka tentuar të mashtrojë publikun duke iu vënë në mbrojtje Millan Radojçiqit, kriminelit serb të veriut.
Daçiq, sikurse lideri i tij Aleksandar Vuçiq, e fajësoi Albin Kurtin për gjithçka që ndodhi në veri të Kosovës të dielën.
Nuk harroi të gënjente puiblikisht. Kryediplomati serb tha se videoja në të cilën shihet Milan Radoiçiq brenda Manastirit në Banjskë, e cila është publikuar nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, “nuk ishte e ditës së incidentit”.
Daçiq, duke komentuar videon që e shfaq Milan Radoiçiqin në Banjskë, tha se “madje mund ta shihni borë” në video.
“Ka pasur edhe borë, që do të thotë se nuk është incizim nga ajo ditë”, pretendoi Daçiq.
Ai kritikoi opozitën në Serbi. Tha se “nuk është e vërtetë” që presidenti serb Vuçiq e ka fajin për ngjarjet e dhunshme, terroriste, të bandave serbe në veri të Kosovës.
Ai pretendoi se Beogradi po lufton për paqen, për të drejtat e serbëve dhe se nuk do të lejojë përshkallëzimin e mëtejshëm të gjithë kësaj, “që të mos ndizet një flakë që s’mund të ndalet”.
“Është e mjerë që në këtë mënyrë, në kurriz të vendit të vet, dikush dëshiron të dëshmojë se serbët janë terroristë që kanë marrë pjesë në të gjitha këto”, tha Daçiq.